Presidenti amerikan Joe Biden ka folur nga Shtëpia e Bardhë mbi reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve të paidentifikuara në lartësi të madhe mbi hapësirën ajrore të Amerikës së Veriut që janë kapur në javët e fundit, pas rrëzimit të një balone spiune kineze nga ushtria amerikane. Në konferencën e mbajtur për shtyp, Biden tha se e urdhëroi ushtrinë të rrëzonte tre objektet e paidentifikuara gjatë fundjavës për shkak të rrezikut të tyre për trafikun ajror komercial dhe sepse ata nuk mund të "përjashtonin rrezikun e mbikëqyrjes së objekteve të ndjeshme". "Ne vepruam me shumë kujdes, deri në një mundësi që lejoi ShBA-në të rrëzonte objektet në mënyrë të sigurtë,”- u shpreh presidenti amerikan, ndërsa shtoi se “nuk ka prova për një rritje të papritur të numrit të objekteve në qiell”. "Tani po shohim më shumë prej tyre pjesërisht për shkak të hapave që kemi marrë për të rritur radarët tanë," - tha ai.
Ndër të tjera ai shtoi se ka folur personalisht me kryeministrin kanadez Justin Trudeau pasi një nga objektet u rrëzua mbi Kanada, duke bërë të ditur se ushtria amerikane dhe kanadeze janë duke punuar për të rikuperuar këto objekte. Kujtojmë se tre objekte të paidentifikuara u rrëzuan nga ShBA gjatë fundjavës - një në hapësirën ajrore të Alaskës të premten, një tjetër mbi Kanadanë veriore të shtunën dhe një objekt i tretë mbi liqenin Huron të dielën.